Tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar më tej, pasi Garda Revolucionare Islamike ka kërcënuar publikisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas deklaratës së publikuar nga mediat ndërkombëtare, zyrtarët iranianë paralajmëruan se do ta “ndjekin dhe vrasin” Netanyahun, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa ndaj objektivave në Iranin perëndimor.
“Nëse ky kriminel që vret fëmijë është gjallë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim dhe ta vrasim me forcë të plotë”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare.
Deklarata vjen disa ditë pasi Netanyahu tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po godasin rëndë Iranin dhe po ndryshojnë ekuilibrat në Lindjen e Mesme.
“Po e shkatërrojmë regjimin terrorist në Iran dhe po godasim përfaqësuesit e tij, përfshirë Hezbollah në Liban”, deklaroi Netanyahu në një fjalim drejtuar kombit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani kërkon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, por shtoi se nuk është i gatshëm të negociojë derisa Teherani të tregojë seriozitet për kushtet e vendosura.









