Spekulime për shëndetin e Khameneit – reagon ministri i Jashtëm i Iranit: Është në gjendje të mirë

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka reaguar ndaj spekulimeve për gjendjen shëndetësore të liderit suprem Mojtaba Khamenei, duke deklaruar se ai është “në gjendje të mirë” dhe po kontrollon plotësisht situatën në vend.

Në një intervistë për Alaraby Aljadeed, Araghchi theksoi se Irani mbetet i hapur ndaj çdo nisme rajonale që mund të çojë drejt përfundimit të konfliktit në rajon.

Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjitha vendet, me përjashtim të anijeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Megjithatë, ministri iranian theksoi se aktualisht nuk ka ndonjë iniciativë konkrete në tryezë për t’i dhënë fund luftës.

Spekulimet për gjendjen e Khameneit janë shtuar pasi ai nuk është shfaqur publikisht që nga emërimi i tij më 8 mars. Fjalimi i tij i parë publik u transmetua nga mediat shtetërore më 12 mars, por u lexua nga një prezantues dhe jo nga vetë lideri iranian.