Presidenti i SHBA-së Donald Trump i ka bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera aleate që t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara në dërgimin e anijeve ushtarake për të garantuar sigurinë në Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike për transportin global të naftës.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se pavarësisht përpjekjeve të Iranit për ta bllokuar këtë rrugë detare, SHBA-ja do të sigurojë që ajo të mbetet e hapur.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, së shpejti do ta hapim Ngushticën e Hormuzit, të sigurt dhe të lirë”, shkroi ai.
Sipas raportimeve të BBC, tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pasi gjashtë anije u sulmuan në Gjirin Persik brenda më pak se 48 orësh gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, udhëheqësi i ri suprem i Iranit Mojtaba Khamenei në deklaratën e tij të parë publike është zotuar se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
Më herët, Trump ka deklaruar gjithashtu se objektivat ushtarake në Ishulli Kharg, një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës iraniane, janë “shkatërruar plotësisht”.
Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar se infrastruktura e energjisë dhe e naftës e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-në mund të “shndërrohet në një grumbull hiri”, duke rritur edhe më shumë tensionet në rajon.









