Marta Kos, Komisionarja e European Commission për Zgjerim, është përballur me akuza të reja që lidhen me një bashkëpunim të mundshëm me UDBA, policinë sekrete të ish-Jugosllavisë.
Pretendimet janë ngritur pas publikimit të disa dokumenteve në një libër të autorit slloven Igor Omerza, të cilat aktualisht po analizohen dhe janë diskutuar edhe në Parliamentin Europian.
Sipas raportimit të Politico, dokumentet u prezantuan gjatë një aktiviteti të organizuar nga eurodeputetja Romana Tomc. Sipas saj, në arkivat e shërbimit sekret jugosllav gjenden të dhëna që lidhen me emrin e Marta Kos, duke ngritur dyshime për një bashkëpunim të mundshëm në vitet ’80.
Tomc pretendon se gjatë dëshmisë së saj në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, Kos kishte deklaruar se nuk kishte bashkëpunuar me këtë shërbim. Megjithatë, sipas saj, dokumentet e reja mund të sugjerojnë të kundërtën.
Eurodeputetja ka dërguar një letër zyrtare drejtuesve të Komisionit Evropian, duke kërkuar sqarime në lidhje me ekzistencën e këtyre dokumenteve dhe nëse do të verifikohet autenticiteti i tyre. Ajo kërkon gjithashtu të dihet nëse do të ndërmerren masa në rast se rezulton se gjatë procesit të konfirmimit janë dhënë informacione të pasakta.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar se institucioni nuk ka komente shtesë për këtë çështje, duke theksuar se emërimi i Kos ka kaluar procedurat standarde të verifikimit dhe është miratuar nga Parlamenti Evropian.
Vetë Marta Kos i ka mohuar më herët këto akuza, duke i cilësuar ato si dezinformata.
Dokumentet që lidhen me UDBA, shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë, mbeten një temë e ndjeshme politike në rajon. Debati i fundit ka rritur kërkesat për më shumë transparencë dhe për sqarimin e plotë të së shkuarës së zyrtarëve të lartë evropianë.









