Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke theksuar se 28 dhjetori ishte e vetmja datë e mundshme për mbajtjen e tyre.
Kurti sqaroi se organizimi më herët, më 21 dhjetor apo 4 janar, ishte i pamundur për shkak të sfidave teknike, logjistike dhe kufizimeve buxhetore, si dhe për shkak të dy raundeve të zgjedhjeve lokale që u zhvilluan në tetor dhe nëntor. Ai nënvizoi se çdo pretendim për “puç” me dhënien e datës është i pabazë.
Sipas Kryeministrit, vendi tashmë ka kaluar një vit të ngjeshur me procese zgjedhore, prandaj stabiliteti institucional dhe dialogu me opozitën janë prioritet, dhe nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Kurti njoftoi se ftesat për takime me partitë opozitare do të dërgohen sot dhe se diskutimet do të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Ai gjithashtu paralajmëroi se vonesat në funksionimin e Kuvendit kanë shkaktuar vonesa në realizimin e mbi 120 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa zgjedhjet e reja do të kushtonin të paktën 10 milionë euro.









