BE reagon pas votimit për Ballukun: Lufta kundër korrupsionit vendimtare për anëtarësimin në Bashkimin Europian

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë, ku shumica socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Në përgjigje të interesit të medias, Delegacioni i BE thekson se është në dijeni të rezultatit të votimit dhe rikujton se shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë elemente kyçe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në reagim nënvizohet gjithashtu rëndësia e krijimit të kushteve të përshtatshme që institucionet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre pa pengesa.

“Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” thuhet në deklaratë.

Qëndrimi i Delegacionit të BE vjen në të njëjtën linjë me reagimet e ambasadave të Gjermanisë, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat kanë theksuar se hetimi i korrupsionit në nivelet e larta mbetet një kusht i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.