Sot vendoset fati i Ballukut – reagon Ambasada Britanike: Imuniteti parlamentar nuk duhet të pengojë drejtësinë

Teksa Kuvendi i Shqipërisë pritet të vendosë sot për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku, një reagim ka ardhur edhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ambasada britanike thekson rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit dhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke vlerësuar gjithashtu progresin e bërë në reformën në drejtësi që prej vitit 2016.

Sipas ambasadës, krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK, ka qenë një hap i rëndësishëm në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe në konsolidimin e shtetit ligjor në vend.

Në deklaratë theksohet se pushtetet e shtetit – ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori – duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të mbështetur këtë progres, si pjesë e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimi Evropian.

Megjithatë, ambasada britanike nënvizon se imuniteti parlamentar nuk duhet të përdoret si mburojë për të shmangur përgjegjësinë para ligjit.

“Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në reagimin zyrtar.

Deklarata vjen në një moment të rëndësishëm politik, pasi Kuvendi pritet të votojë mbi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku, një çështje që ka ndezur debat të fortë politik mes mazhorancës dhe opozitës.