Pse Doktori bën sikur është pro heqjes së imunitetit të Ballukut?

Në dukje, qëndrimi i Sali Berishës përballë çështjes së Belinda Ballukut duket i qartë: opozita kërkon hetim të plotë dhe nuk kursen akuzat ndaj një prej figurave më të fuqishme të qeverisë. Por në politikë, sidomos në politikën shqiptare, ajo që duket në sipërfaqe nuk është gjithmonë e gjithë historia. Prandaj lind pyetja: a e dëshiron vërtet Berisha rrëzimin e Ballukut?

Nëse Belinda Balluku do të goditej seriozisht nga drejtësia, pasojat politike do të ishin të menjëhershme. Ajo konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme e lidhur me mijëra fije të padjksbme me Edi Ramë, dhe një goditje ndaj saj do të interpretohej si një goditje direkte ndaj vetë kryeministrit. Me shumë gjasë, kjo do të hapte një krizë të thellë politike për qeverinë.

Por këtu qëndron edhe paradoksi.
Rrëzimi i Ramës nuk do të ishte vetëm fundi i një qeverie, por mund të shënonte edhe mbylljen simbolike të ciklit të tranzicionit politik shqiptar, një epokë e gjatë ku figura si Sali Berisha kanë qenë protagonistët kryesorë.

Në një skenar të tillë, fundi i Ramës do të sillte me shumë gjasa një riformatim të plotë të skenës politike, me aktorë të rinj dhe me një fazë të re politike që do të linte pas figurat historike të tranzicionit. Kjo do të thotë se rrëzimi i Ramës mund të nënkuptojë edhe fundin e epokës politike të vetë Berishës.

Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm: Berisha vetë ndodhet në një proces gjyqësor me statusin e të pandehurit për akuza korrupsioni. Në një klimë ku drejtësia godet figurat e mëdha politike, çdo precedent i fortë mund të krijojë një efekt domino.

Pikërisht për këtë arsye, logjika, por dhe gojët e liga thonë se retorika e fortë kundër Ballukut është pjesë e betejës politike të opozitës, por në thelb situata është më komplekse. Një goditje e fortë ndaj saj mund të rrëzojë Ramën, por njëkohësisht mund të hapë një epokë të re politike ku edhe roli i Berishës do të vihej përfundimisht në pikëpyetje.

Prandaj dilema mbetet: a është vërtet qëllimi rrëzimi i Ballukut, apo thjesht presioni politik ndaj qeverisë? Në politikë, shpesh beteja më e madhe nuk është ajo që zhvillohet në publik, por ajo që zhvillohet pas skene.