Sot vendoset fati i kërkesës për arrestimin e Ballukut – Kuvendi voton dy raportet. Deputetët e Berishës protestë brenda dhe jashtë Parlamentit

Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë sot në seancë plenare dy raportet e përgatitura nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku. Votimi i tyre pritet të vulosë përfundimisht fatin e kësaj kërkese, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar.

Mazhoranca dhe opozita shkojnë në seancë me qëndrime të kundërta. Partia Socialiste argumenton se Balluku, e cila tashmë është shkarkuar nga detyra si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nuk mban më funksion ekzekutiv, nuk paraqet rrezik për prishje provash apo arratisje. Sipas socialistëve, SPAK mund të vijojë hetimet ndaj saj pa qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë, mazhorancës i mjaftojnë 71 vota në Kuvend.

Nga ana tjetër, opozita këmbëngul se heqja e imunitetit dhe autorizimi për arrestimin e deputetes është i domosdoshëm, duke argumentuar se Balluku mund të ndikojë mbi dëshmitarët apo të ndërhyjë në prova. Raporti i opozitës pritet të lexohet në seancë nga deputeti Oerd Bylykbashi, në mungesë të kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, i cili është i përjashtuar nga aktivitetet parlamentare pas vendimit të Komisionit të Etikës.

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut erdhi në dhjetor, pasi më herët ajo ishte pezulluar nga funksionet në qeveri dhe ndaj saj ishte vendosur masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Deputetja socialiste është marrë e pandehur në lidhje me çështjen e tunelit të Llogarasë, ndërsa po hetohet edhe për disa procedura tenderimi, përfshirë projektet e Unazës së Madhe dhe rrugën Thumanë–Kashar.

Paralelisht me zhvillimet në Kuvend, opozita ka paralajmëruar edhe protestë jashtë Parlamentit. Partia Demokratike e Shqipërisë u ka bërë thirrje mbështetësve të saj që të mblidhen përpara Kuvendit në orën 10:00, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare.

Kreu i opozitës Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në përballjen politike me qeverinë. Sipas tij, reagimi qytetar është mënyra për të ushtruar presion ndaj mazhorancës dhe për të kërkuar përgjegjësi politike për çështjen Balluku.

Seanca e sotme pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa votimi i raportit të mazhorancës ose atij të opozitës do të përcaktojë nëse Kuvendi do t’i japë apo jo dritën jeshile kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetes socialiste.