Qeveria greke ka ndërhyrë me masa emergjente për të frenuar rritjen e menjëhershme të çmimeve të karburanteve dhe produkteve bazë, pas tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme që kanë tronditur tregjet ndërkombëtare.
Gjatë një takimi urgjent me presidentin e vendit, kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi vendosjen e një tavani për marzhin e fitimit në sektorët kryesorë të ekonomisë, me qëllim ndalimin e spekulimeve dhe fitimeve të pajustifikuara.
“Po dërgojmë një mesazh të qartë se kjo turbulencë ekonomike nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime spekulative që do ta rëndonin edhe më shumë situatën”, deklaroi Mitsotakis.
Sipas masave të reja, në tregtinë me shumicë të karburanteve marzhi i fitimit nuk do të lejohet të kalojë 5 cent për litër, ndërsa për pikat e shitjes me pakicë kufiri maksimal do të jetë 12 cent për litër. Për zonat ishullore pritet të aplikohen rregulla të veçanta për shkak të kostove më të larta të transportit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kufizimi i marzhit të fitimit do të vlejë deri më 30 qershor 2026 dhe do të përfshijë jo vetëm karburantet, por edhe supermarketet, industrinë ushqimore dhe kompanitë e shpërndarjes.
Masat do të aplikohen për një listë të gjerë produktesh bazë si orizi, buka, makaronat, vezët, qumështi, djathi, kosi, sheqeri, vaji, kafeja dhe perimet e ngrira. Kompanitë që shkelin rregullat rrezikojnë gjoba që mund të arrijnë deri në 5 milionë euro, në varësi të madhësisë së biznesit dhe përfitimit të paligjshëm.
Autoritetet greke theksojnë se aktualisht nuk ka probleme me furnizimin në treg, por paralajmërojnë kontrolle më të rrepta për të parandaluar abuzimet me çmimet, sidomos në sektorin e energjisë dhe produkteve të konsumit të përditshëm.









