Bilanci i sulmit iranian ndaj një baze ushtarake amerikane në Kuvajt rezulton të jetë shumë më i rëndë nga sa është bërë publik fillimisht nga autoritetet amerikane. Sipas një raportimi të CBS, nga sulmi kanë humbur jetën gjashtë ushtarë amerikanë, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sulmi u krye më 1 mars, kur dronë iranianë goditën bazën amerikane në Port Shuaiba, pak orë pas përshkallëzimit të konfliktit në rajon. Goditja shënjestroi një qendër operative taktike, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe kaos brenda objektit ushtarak.
Sipas burimeve të cituara nga media amerikane, shumë nga ushtarët e plagosur kanë pësuar trauma në kokë, plagë nga copëzat e shpërthimit dhe djegie të rënda, ndërsa një prej tyre është detyruar t’i nënshtrohet amputimit të një gjymtyre.
Menjëherë pas sulmit, ndërtesa u mbush me tym të dendur, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe evakuimit. Aktualisht, më shumë se 30 ushtarë amerikanë vazhdojnë të trajtohen në spital, ndërsa 20 prej tyre janë transferuar në spitalin ushtarak në Landstuhl, Gjermani, për shkak të plagëve të rënda që kërkonin trajtim të specializuar.
Raporti hedh dritë mbi përmasat reale të sulmit, duke sugjeruar se incidenti ishte një nga goditjet më të rënda ndaj forcave amerikane në rajon gjatë përshkallëzimit të fundit të tensioneve.









