Autoritetet amerikane të sigurisë kanë ngritur alarmin për një kërcënim të mundshëm nga Irani. FBI ka paralajmëruar departamentet e policisë në shtetin e Kalifornisë se Teherani mund të ndërmarrë një ofensivë me dronë ndaj bregut perëndimor të Shteteve të Bashkuara, si reagim ndaj sulmeve të fundit amerikane.
Sipas informacioneve të shpërndara nga agjencia federale, rreziku lidhet me një skenar të mundshëm hakmarrjeje nga Irani në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar ndjeshëm. Megjithatë, FBI nuk ka dhënë detaje konkrete për kohën apo mënyrën se si mund të realizohet një sulm i tillë.
Në përgjigje të këtij paralajmërimi, autoritetet lokale në Kaliforni janë udhëzuar të rrisin nivelin e vigjilencës dhe të forcojnë masat e sigurisë, veçanërisht në zonat strategjike përgjatë bregdetit dhe pranë infrastrukturave të rëndësishme.
Ky zhvillim vjen në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, ndërsa përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit kanë ngritur shqetësime për rrezikun e një përshkallëzimi të ri të konfliktit edhe përtej Lindjes së Mesme.









