Arrestohet Gjesti – Reperi i njohur kapet me armë zjarri pa leje

Reperi i njohur nga Peja, Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, është arrestuar këtë të mërkurë në Prishtinë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi” në kryeqytet. Artistit i është gjetur një armë zjarri për të cilën dyshohet se nuk posedonte leje të rregullt.

Pas shoqërimit në komisariat, Gjesti është marrë në pyetje nga autoritetet policore dhe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është vendosur masa e ndalimit për 48 orë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, e cila bëri të ditur se ndaj reperit po zhvillohen procedurat e mëtejshme ligjore për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Arrestimi i tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe fansave në rrjetet sociale, pasi Gjesti është një nga emrat e njohur të skenës së repit shqiptar.