Kushtetuesja e konsideroi si antikushtetuese mbylljen e përkohshme të TikTok – Rama reagon ashpër: ‘90% e prindërve nuk ishin gabim!’

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila e konsideroi si antikushtetuese vendimin për mbylljen e përkohshme të TikTok në Shqipëri, duke argumentuar se ai cenon lirinë e shprehjes.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama ironizoi vendimin e gjykatës duke thënë se, sipas këtij interpretimi, shumica dërrmuese e prindërve dhe mësuesve shqiptarë që kërkuan mbylljen e platformës kanë qenë të gabuar.

“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TikTok-ut!”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se vendimi për mbylljen e përkohshme të platformës kishte prodhuar efekt, pasi sipas tij kompania kishte pranuar të vendoste masa shtesë sigurie dhe kontrolli.

“Ne e rihapëm TikTok-un vetëm falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat ekstra që u morën prej saj, pikërisht nga impakti i mbylljes. Se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, vendimi i qeverisë për ta bllokuar përkohësisht platformën kishte synuar mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve, ndërsa shtoi se falë këtij veprimi sot prindërit dhe mësuesit mund të ndihen “pak më të lehtësuar”.

Megjithatë, kryeministri paralajmëroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të krijojë një klimë ku, sipas tij, “shpifësit ndihen të inkurajuar”, duke lënë të kuptohet se debati për rolin dhe kufijtë e rrjeteve sociale në Shqipëri do të vazhdojë edhe më tej.