Dy lojtarë të FC Bayern Munich rrezikojnë ndëshkime të ashpra nga UEFA, pasi dyshohet se morën qëllimisht kartonë të verdhë gjatë ndeshjes kundër Atalanta BC në UEFA Champions League.
Bavarezët fituan thellë 6-1 në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tave, por vëmendjen e morën dy episode që mund të kenë pasoja disiplinore për lojtarët.
Sulmuesi francez Michael Olise, i cili realizoi dy gola dhe dha një asist, mori karton të verdhë në minutën e 77-të pasi vonoi qëllimisht ekzekutimin e një goditjeje nga këndi, pavarësisht paralajmërimeve të gjyqtarit. Me këtë ndëshkim ai plotësonte limitin e kartonëve dhe automatikisht humbet ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena”.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me mesfushorin Joshua Kimmich, i cili në minutën e 83-të vonoi ekzekutimin e një goditjeje dënimi dhe përfundoi gjithashtu me karton të verdhë.
Dyshimi është se të dy lojtarët kërkuan qëllimisht ndëshkimin për të munguar në ndeshjen e kthimit – e konsideruar formale pas fitores 6-1 – dhe për të hyrë “të pastër” me kartonë në çerekfinale.
Rregullorja disiplinore e UEFA-s parashikon sanksione më të rënda për raste kur lojtarët provojnë të marrin qëllimisht karton të verdhë për të zgjedhur vetë ndeshjen në të cilën do të pezullohen. Në të kaluarën, raste të ngjashme kanë përfunduar me pezullime shtesë për futbollistë si Sergio Ramos dhe Dani Carvajal.
Nëse konfirmohet se veprimi ishte i qëllimshëm, Olise dhe Kimmich mund të rrezikojnë pezullim më të gjatë, që në teori mund t’i lërë jashtë edhe nga ndeshjet e ardhshme të turneut.
Në çerekfinale, nëse kalon pa probleme pengesën e Atalantës, Bayern mund të përballet me fituesin e superduelit mes Real Madrid dhe Manchester City.









