Turqia ka njoftuar se do të vendosë një sistem mbrojtës raketor “Patriot” në qendër të vendit, një ditë pasi NATO interceptoi një raketë balistike të lëshuar nga Irani që hyri në hapësirën ajrore turke.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria turke e Mbrojtjes bëri të ditur se po merren masa shtesë për të garantuar sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore të vendit, ndërsa konsultimet me NATO-n dhe aleatët vazhdojnë.
Sipas autoriteteve, sistemi mbrojtës “Patriot” do të vendoset në qytetin Malatya, ku ndodhet edhe baza ajrore Kurecik, një instalim i rëndësishëm i NATO-s që strehon një radar paralajmërues të hershëm për zbulimin e lëshimeve të raketave.
Vendosja e sistemit raketor vjen pas incidentit të fundit kur NATO rrëzoi një raketë të dytë balistike iraniane në hapësirën ajrore turke. Pas këtij zhvillimi, Shtetet e Bashkuara mbyllën përkohësisht konsullatën në qytetin jugor të Adanasë dhe u bënë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Turqia juglindore.
Në rajon ndodhet edhe baza ajrore Incirlik, një tjetër instalim strategjik i NATO-s ku janë të stacionuara forca amerikane.
Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se qëllimi kryesor i Ankarasë është të mbajë Turqinë larg luftës me Iranin, pavarësisht tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme pas nisjes së konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Teheranit.









