Osmani paralajmëron lëvizjen e madhe pas 4 prillit: “Do të vendos sipas interesit më të madh të Kosovës”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të qartë se vendimi i saj për të ardhmen politike do të merret pas përfundimit të mandatit më 4 prill. Në një intervistë për Çim Peka Live në SYRI TV, Osmani tha se deri në këtë datë do të vazhdojë të kryejë detyrën e presidentes, ndërsa pas kësaj do të bëjë një vlerësim të ri të situatës politike për të përcaktuar se cili hap i ardhshëm i shërben më së miri vendit.

Presidentja gjithashtu komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit, duke theksuar se kjo u jep pak kohë institucioneve për të sqaruar situatën para një vendimi përfundimtar.

Osmani nënvizoi se çdo veprim i saj politik në të ardhmen do të udhëhiqet nga interesi më i madh i Republikës së Kosovës, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve strategjike pas datës 4 prill.

Pjesë nga intervista: 

Presidentja Osmani: Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme. Siç e përmenda, ne derisa po e jepnim këtë intervistë edhe erdhi vendimi për masë të përkohshme. Ajo jep pak kohë për t’u sqaruar gjërat dhe përfundimisht Gjykata do ta marrë vendimin e vet. Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente e Republikës së Kosovës deri më datën 4 prill. Pas kësaj, ë, do ta bëj një vlerësim të ri se çka në momentin konkret është vërtetë në interes të Republikës së Kosovës dhe në bazë të këtij dhe vetëm këtij kriteri, do ta marr vendimin për rrugën përpara.

Çim Peka: Çfarë do të thotë se do të jeni aktive në politikë?

Presidentja Osmani: Çfarë do të thotë se do të shoh mundësinë më të mirë që ta ndihmoj Republikën që të ecë përpara. Se cila do të jetë ajo mundësi, varet shumë nga rrethanat. Ju e dini që politika nganjëherë është e paparashikueshme. Thjesht duhet ta japim kontributin tonë me tërë qenien tonë dhe ta kemi interesin e vendit si parësor. Kjo është më e rëndësishmja.