Sulm pranë ambasadës amerikane në Bagdad – Goditet kampi logjistik – dyshohet për dorën e Iranit

Një njësi logjistike e lidhur me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara pranë aeroportit të Bagdadit, në Irak, është vënë në shënjestër të një sulmi që dyshohet se lidhet me forca pro-iraniane.

Sipas raportimeve fillestare, objektivi i sulmit ishte një kamp mbështetjeje logjistike që përdoret për operacionet e ambasadës amerikane në vend. Pas incidentit, sistemet e mbrojtjes ajrore të kampit u aktivizuan menjëherë për të neutralizuar kërcënimin.

Deri në këto momente nuk ka raportime për viktima apo dëme të konsiderueshme, ndërsa autoritetet amerikane dhe irakiane nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për incidentin.

Sulmi vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ndërsa përplasjet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen në rajon.