Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se Ballkani Perëndimor, Moldavia dhe Ukraina duhet të afrohen sa më shpejt me Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit për sigurinë dhe interesin e përbashkët europian.
“Ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së që tani,” deklaroi Von der Leyen, ndërsa komentoi se rendi botëror i vjetër nuk ekziston më dhe Europa nuk mund të qëndrojë thjesht si kujdestare e tij. Ajo theksoi se zgjerimi nuk lidhet me ideologji, por me mbrojtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Duke iu referuar konfliktit në Lindjen e Mesme, Von der Leyen theksoi se Europa duhet të përballet me realitetin dhe të mos derdhë lot për regjimin iranian, ndërsa duhet të jetë e gatshme të projektojë fuqinë e saj në mënyrë vendimtare.
Deklarata erdhi gjatë një takimi të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel, ku u diskutua situata e sigurisë dhe potenciali i një vale të re emigracioni për shkak të luftës në Iran.









