Kostot me të cilat përballen bizneset për prodhimin e mallrave në Shqipëri janë stabilizuar në fund të vitit të kaluar, por kjo nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë qytetarët në treg.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e katërt të vitit 2025 është rritur vetëm me 0.2%, një sinjal se presioni për rritje të mëtejshme të çmimeve për konsumatorët duhet të jetë i kufizuar.
Megjithatë, jo të gjithë sektorët kanë ndjekur të njëjtin trend. Industria përpunuese ka shënuar rritjen më të dukshme të kostove me 0.5%. Brenda këtij sektori, prodhimi i mobilieve ka regjistruar rritjen më të lartë të kostove me rreth 1.5%, ndërsa përpunimi i produkteve farmaceutike është rritur me 1.4%.
Në të njëjtën kohë, një tjetër faktor që ndikon drejtpërdrejt në çmimet në vend është edhe kostoja e mallrave që importohen nga jashtë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2025 çmimet e importit kanë rënë me 0.5% në baza vjetore, një zhvillim që teorikisht duhet të çonte në produkte më të lira për konsumatorët.
Rënia më e madhe është regjistruar në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit me 4.1%, ndërsa në industrinë përpunuese – që përbën pjesën më të madhe të importeve – ulja më e dukshme është vërejtur te përpunimi i produkteve ushqimore, me rreth 1.7%.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se kombinimi i kostove të ulëta të prodhimit dhe rënies së çmimeve të importit duhet të ndihmojë në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve në tregun vendas. Megjithatë, ata paralajmërojnë se në praktikë, importet nuk po shiten më lirë dhe prodhimi vendas po përballet me më pak presion konkurrues, duke bërë që konsumatorët të mos ndjejnë ulje reale të çmimeve.









