Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar për emërimin e liderit të ri suprem të Iranit, duke deklaruar se nuk është i kënaqur me këtë zhvillim.
Sipas raportimit të Fox News, prezantuesi Brian Kilmeade tha gjatë një emisioni se kishte biseduar me Trump menjëherë pas shpalljes së liderit të ri iranian. Ai theksoi se presidenti amerikan iu përgjigj shkurt duke thënë se “nuk ishte shumë i kënaqur” me emërimin, pa dhënë detaje të tjera.
Reagimi vjen pasi Mojtaba Khamenei u zgjodh lideri i ri suprem i Iranit nga Asambleja e Ekspertëve e Iranit, duke pasuar babain e tij, Ali Khamenei, i cili u vra në orët e para të konfliktit të fundit në rajon.
Megjithatë, sipas shumë analistëve, lideri i ri mund të mos ketë të njëjtin ndikim dhe autoritet që kishte babai i tij, i cili drejtoi Republikën Islamike të Iranit për më shumë se katër dekada.
Ndërkohë, sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, kleriku Mohsen Heydari, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve, deklaroi se zgjedhja e Mojtaba Khameneit ishte në përputhje me këshillën e liderit të ndjerë që udhëheqësi suprem duhet të jetë “dikush i urryer nga armiku dhe jo i lavdëruar prej tij”.









