Goditje në zemër të Bejrutit! – Izraeli sulmon komandantët e Gardës Revolucionare iraniane

Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen. Izraeli ka ndërmarrë një sulm ajror në qendër të Bejrutit, duke shënjestruar komandantë të Gardës Revolucionare të Iranit që operonin në Liban.

Sipas njoftimit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, operacioni përfshinte një “sulm preciz” kundër zyrtarëve të lartë të Forcës Quds, njësia elitare e Gardës Revolucionare. Ushtria izraelite theksoi se gjatë operacionit janë marrë masa për të minimizuar rrezikun për civilët.

Raportimet fillestare flasin për një sulm në hotelin Ramada në qendër të qytetit, ku sipas informacioneve paraprake kanë mbetur të vrarë të paktën katër persona dhe rreth dhjetë të tjerë janë plagosur.

Sipas Reuters, ky është një nga sulmet më të rralla të këtij lloji në zemër të kryeqytetit libanez që prej rifillimit të operacioneve ajrore të Izraelit kundër Hezbollah, organizatë që mbështetet nga Irani.

Ndërkohë, reagimi nga Teherani nuk ka munguar. Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Ali Mohammad Naini, deklaroi për agjencinë iraniane Fars se forcat iraniane janë të gatshme të vazhdojnë një luftë të ashpër kundër SHBA-së dhe Izraelit për të paktën gjashtë muaj.

Sipas tij, deri më tani janë goditur mbi 200 objektiva amerikane dhe izraelite në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme, duke sinjalizuar se përplasja mund të përshkallëzohet edhe më tej.