Administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë këtë të premte një takim në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit e kompanive kryesore të industrisë së mbrojtjes, me qëllim nxitjen e tyre për të përshpejtuar prodhimin e armëve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u bë i ditur nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila theksoi se presidenti do t’u kërkojë kompanive amerikane të rrisin ritmin e prodhimit të armatimeve, të cilat sipas saj konsiderohen ndër më të mirat në botë.
Sipas Leavitt, takimi ishte planifikuar disa javë më parë, përpara se SHBA të nisnin sulmet ajrore kundër Iranit.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur presidenti Trump deklaroi në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara disponojnë “një furnizim pothuajse të pakufizuar me armë”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë shtoi se ushtria amerikane ka rezerva të mjaftueshme municionesh dhe armatimesh për të vijuar operacionet ushtarake kundër Iranit dhe për të përmbushur objektivat e operacionit të quajtur “Epic Fury”.









