SPAK thërret deputetin e Sali Berishës, Xhelal Mziun – hetimet lidhen me periudhën kur drejtonte Bashkinë e Kamzës

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai hyri në godinën e institucionit duke përshëndetur mediat, por pas rreth një ore qëndrimi brenda, u largua pa dhënë asnjë deklaratë për gazetarët dhe pa sqaruar arsyen e thirrjes së tij.

Burime bëjnë me dije se ndaj Mziut janë depozituar disa kallëzime në SPAK, të cilat lidhen me periudhën kur ai drejtonte Bashkinë e Kamzës. Këto kallëzime kanë të bëjnë me dyshime për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës në atë kohë.

Kjo nuk është hera e parë që deputeti demokrat paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Në raste të mëparshme, Mziu ka deklaruar se është thirrur nga SPAK si person që ka dijeni për disa procedura tenderimi gjatë kohës kur ishte në krye të Bashkisë së Kamzës.