DEKLARATA E FORTE/ “Kuba drejt ndryshimit politik” – Trump: Havana kërkon marrëveshje me SHBA pas dekadash

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Kuba mund të përballet së shpejti me zhvillime të mëdha politike, duke theksuar se regjimi në ishull “mund të bjerë shumë shpejt”.

Gjatë një interviste telefonike për CNN, Trump tha se autoritetet në Havana janë të interesuara për një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara pas dekadash tensioni.

Sipas tij, administrata amerikane mund t’ia besojë trajtimin e kësaj çështjeje sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe do t’ia lë këtë çështje Markos që ta trajtojë. Do të shohim si do të zhvillohet situata. Kuba është gati — pas 50 vitesh”, u shpreh Trump.

Presidenti amerikan tha se e ka ndjekur situatën në Kubë për dekada dhe se zhvillimet e fundit, sipas tij, tregojnë se sistemi në ishull është drejt ndryshimit.

Një ditë më parë, duke folur në White House, ai deklaroi gjithashtu se beson se është vetëm çështje kohe që kubanët që jetojnë në SHBA të mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Trump la të kuptohet se çështja e Kubës mund të bëhet një nga prioritetet e ardhshme të administratës së tij, pasi të përfundojë kriza aktuale ndërkombëtare, përfshirë tensionet me Iranin.