“Dua të qëndroj këtu” – Mesazhi i Muçit për Besiktashin bëhet viral në Turqi

Deklarata e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, është bërë virale në mediat turke, duke u interpretuar si një mesazh i qartë për të ardhmen e tij larg Besiktashit.

Futbollisti shqiptar po kalon një sezon shumë të mirë te Trabzonspori, ku është i huazuar nga Besiktashi dhe ka bindur drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij.

“Jam shumë i lumtur që erdha këtu. Të luash futboll këtu është kënaqësi. Ndihem shumë më mirë”, u shpreh Muçi, deklaratë që u shpërnda gjerësisht në mediat sportive turke.

Ky sezon konsiderohet më i miri në karrierën e tij deri tani, pasi Muçi ka realizuar 13 gola dhe 8 asistime, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.

Trabzonspori pritet të blejë përfundimisht kartonin e tij. Huazimi i mesfushorit kushtoi 1 milion euro, ndërsa për transferimin përfundimtar flitet për një shumë rreth 8.5 milionë euro.

Nga ana tjetër, Besiktashi e kishte nxjerrë Muçin jashtë planeve pas sezonit të kaluar, çka e afroi transferimin e tij drejt Trabzonsporit.