Osmani thërret sot liderët e partive për të vendosur datën e zgjedhjeve: “Mos lejoni që vonesat të dominojnë interesin e shtetit” – caktohet ora e takimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas burimeve të Telegrafit, takimi pritet të mbahet në orën 13:00 në Presidencë.

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, përshëndeti vendimin e Osmanit, duke e cilësuar si një veprim në mbrojtje të rendit kushtetues dhe si shenjë gatishmërie për zgjedhje të reja demokratike.

Nga ana tjetër, këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj, theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar Kushtetutën dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, ndërsa opozita akuzohet për bojkot të procedurave institucionale, duke vonuar procesin dhe penguar zgjedhjen e kreut të shtetit.

Presidentja Osmani gjithashtu i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të mos lejojë që interesat për vonesa të dominojnë procesin dhe të pengojnë funksionimin normal të institucioneve.