‘Presidenti do të zgjidhet’” – LVV në reagim ndaj dekretit të Osmanit, paralajmëron: Seanca do të vazhdojë kur të kthehen deputetët”

Pas shpalljes së dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe paralajmërimit të zgjedhjeve të parakohshme, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar përmes këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj.

Në një postim në Facebook, Zulfaj theksoi se LVV ka vepruar gjithmonë brenda kuadrit kushtetues gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.

“Lëvizja Vetëvendosje e respektoi Kushtetutën në plotni”, shkroi ai, duke shtuar se partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kushtetues për të garantuar garën për president.

Zulfaj përmendi se LVV propozoi dy kandidatë për zgjedhje dhe përfundoi procedurat ligjore brenda afatit, por mungesa e deputetëve nga opozita pengoi zhvillimin normal të seancës.

“Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve dhe do të vazhdojë sapo ata të jenë prezent, siç e kanë detyrim kushtetues”, tha Zulfaj, duke akuzuar opozitën për bojkot të qëllimshëm të proceseve institucionale.

Ai kujtoi edhe ngjarjet e vitit të kaluar, kur opozita kishte penguar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe paralajmëroi se zgjedhja e presidentit nuk mund të shtyhet.