LAJMI I FUNDIT/ Dështon seanca për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës – mungon kuorumi në Kuvend

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, e mbajtur mbrëmjen e së enjtes (5 mars 2026), ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Në sallë ishin të pranishëm vetëm 65 deputetë, ndërsa 55 të tjerë munguan, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të votimit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri disa herë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se prania e tyre është detyrim kushtetues.

Sipas saj, për të vazhduar me procedurat për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e të paktën dy të tretave të deputetëve, ose 80 deputetë.

“Disa herë u bëra thirrje deputetëve të vijnë në sallë, por nuk kemi numrin e nevojshëm. Nuk ka kuorum për ta vazhduar këtë seancë”, deklaroi Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidatë për postin e presidentit: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçakun. Zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorrolli, bëri të ditur se komisioni kishte shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve dhe kishte vlerësuar se ata mund të procedoheshin për votim në Kuvend.

Ndërkohë, presidentja aktuale Vjosa Osmani ka propozuar ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët, duke argumentuar se një sistem i tillë do të shmangte bllokadat politike në Kuvend. Kjo ide është mbështetur edhe nga kryetarja e Kuvendit.

Megjithatë, Kuvendi nuk arriti të procedojë për votim amendamentet kushtetuese të propozuara, pasi munguan votat e nevojshme, veçanërisht ato të deputetëve nga komunitetet joshumicë, të cilat janë të domosdoshme për ndryshime në Kushtetutë.