Ngërçi për Presidentin – LDK pret dekretin e shpërndarjes së Kuvendit pas mesnate – Abdixhiku: Nuk u arrit marrëveshje

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij pret që pas mesnatës të publikohet dekreti për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk është arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Abdixhiku deklaroi se partitë parlamentare nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht përpjekjeve të LDK-së për një marrëveshje politike.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit kërkon mbi 80 vota në Kuvend, numër që nuk është siguruar gjatë këtij procesi.

Ai theksoi se LDK ka ofruar alternativa dhe zgjidhje për të arritur një konsensus më të gjerë politik, por sipas tij, kjo gatishmëri nuk është përputhur me qëndrimet e partive të tjera.

“Seanca aktuale është monopartiake, me dy kandidatë nga e njëjta parti. Konsensusi dhe uniteti nuk arrihen në këtë mënyrë. Për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve”, u shpreh Abdixhiku.

Dështimi për të arritur marrëveshje për presidentin pritet ta çojë vendin drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.