Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur brenda ambienteve të Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku dy drejtues të institucionit janë përfshirë në një konflikt që ka degraduar në dhunë fizike.
Sipas burimeve, drejtori i Mjedisit në IKMT, Klesti Çela, dyshohet se ka goditur në zyrë drejtorin e Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta, në një përplasje që lidhet me çështje pune.
Raportohet se debati fillimisht ka qenë verbal dhe ka nisur për një grup inspektimi që merrej me problematikën e depozitimit të dherave. Një ditë më pas, situata ka përshkallëzuar në dhunë fizike brenda institucionit. Sipas informacioneve paraprake, Meta është goditur nga Çela dhe persona të tjerë që e shoqëronin, ndërsa përmendet edhe përdorimi i qytës së pistoletës.
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se pas incidentit, Çela është paraqitur në zyrën e drejtuesit të institucionit, Afrim Qendro, ku mësohet se ka kërkuar dorëheqjen.
Ngjarja ka shkaktuar reagime për shkak të natyrës së saj dhe faktit që dyshohet të ketë ndodhur brenda një institucioni shtetëror. Rrethanat e plota mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet hetimore.
Kujtojmë se Fatmir Meta ka drejtuar disa aksione të bujshme prishjesh objektesh, përfshirë operacionin e fundit në Theth, ku pati tensione dhe përplasje me banorë të zonës.









