Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Lindjen e Mesme, por theksoi se do të mbrojë çdo pjesë të territorit të saj nëse situata do ta kërkojë.
“NATO nuk është e përfshirë vetë në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai, duke shtuar se mbrojtja kolektive mbetet e panegociueshme.
Gjatë një vizite në Maqedonia e Veriut, Rutte theksoi se Irani përbën rrezik të gjerë rajonal dhe më tej:
“Irani është një kërcënim për rajonin e gjerë, një kërcënim ekzistencial për Izraelin dhe një kërcënim i madh për ne këtu në Evropë”.
Ai paralajmëroi se Teherani është pranë sigurimit të kapaciteteve bërthamore dhe raketore balistike. “Le të jemi absolutisht të qartë për atë që po ndodh këtu. Irani është afër të pajisë veten me një kapacitet bërthamor dhe një kapacitet raketash balistike”, deklaroi kreu i Aleancës.
Rutte komentoi edhe eliminimin e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, duke thënë: “Mendoj se të gjithë jemi më mirë me largimin e tij dhe me kapacitetin bërthamor dhe balistik të mposhtur dhe degraduar tani që po flasim.”
Ai sqaroi se operacioni ushtarak është ndërmarrë nga SHBA-të dhe Izraeli, ndërsa çdo mbështetje nga vendet anëtare të NATO-s po ofrohet në mënyrë dypalëshe, jo si angazhim i drejtpërdrejtë i Aleancës.
Deklaratat e Rutte vijnë në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, ndërsa NATO përpiqet të balancojë mes mosangazhimit direkt në konflikt dhe garantimit të sigurisë së vendeve anëtare.









