Në tryezën e diskutimit për Reformën Zgjedhore, kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ngriti shqetësime serioze për mënyrën si financohen partitë politike në Shqipëri, duke paralajmëruar se mungesa e rregullave të qarta dhe kontrollit efektiv mund të cenojë standardet demokratike.
Ai renditi gjashtë çështje kryesore që, sipas tij, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme:
1️⃣ Transparenca e kufizuar
Partitë politike publikojnë të dhënat mbi financimin vetëm në raportet vjetore pranë KQZ-së. Celibashi sugjeroi raportim më të shpeshtë dhe më të detajuar për të garantuar transparencë reale.
2️⃣ Auditimi joefektiv
Sistemi aktual i kontrollit financiar konsiderohet formal dhe pa ndikim real në verifikimin e fondeve.
3️⃣ Konflikt interesi te audituesit
Edhe pse audituesit përzgjidhen nga KQZ, pagesa e tyre kryhet nga vetë partitë politike – një situatë që, sipas Celibashit, krijon konflikt interesi.
4️⃣ Paqartësi në sanksione
Ekzistojnë mospërputhje dhe mungesë harmonizimi në aplikimin e sanksioneve administrative për shkeljet financiare.
5️⃣ Kapacitete të pamjaftueshme institucionale
Struktura aktuale e KQZ-së përballet me vështirësi në monitorimin e mbi 100 partive të regjistruara në vend.
6️⃣ Pabarazi në shpërndarjen e fondeve
Sistemi aktual favorizon partitë e mëdha. Celibashi theksoi se financimi nuk duhet të lidhet tërësisht me rezultatin zgjedhor, pasi subjektet e mëdha përfitojnë edhe burime të tjera, përfshirë infrastrukturë dhe mbështetje në nivel vendor.
Diskutimet për Reformën Zgjedhore u zhvilluan në prani edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërsa çështja e financimit të partive pritet të jetë një nga pikat më të debatueshme në procesin e ndryshimeve ligjore.









