Protesta e 28 shkurtit dhe incidenti te “Vila 31” – Gjykata e Tiranës vendos për 4 të ndaluarit

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin për katër protestuesit e ndaluar pas tubimit kombëtar të opozitës më 28 shkurt në kryeqytet.

Pas një seance me dyer të mbyllura, gjyqtari i gatshëm vendosi lirimin e tyre nga qelia, duke caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Të arrestuarit akuzohen për përdorim të lëndëve djegëse, përfshirë molotov, si dhe për dëmtime të pronës.

Gjatë protestës u regjistruan tensione në disa pika të Tiranës, mes tyre edhe te e ashtuquajtura “Vila 31”, ish-banesa e diktatorit Enver Hoxha, në zonën e ish-Bllokut. Po ashtu pati grumbullime pranë institucioneve të rendit.

Sipas raportimeve, në momentin e hedhjes së molotovëve në ambientet e vilës ndodheshin edhe turistë të huaj, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Dëmet e shkaktuara ishin materiale.

Përfaqësues të opozitës deklaruan se nuk kishin informacion për praninë e shtetasve të huaj në objekt, ndërsa pretenduan se kishte zëra për një takim të mundshëm në atë ambient mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, çka sipas tyre rriti tensionin mes protestuesve.

Ngjarja ka sjellë edhe reagime nga përfaqësi diplomatike në Tiranë, të cilat dënuan aktet e dhunës, por njëkohësisht theksuan se protesta paqësore mbetet një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike.