“Kemi ushtrinë më të madhe në botë” – Trump për CNN: Po e godasim rëndë Iranin, “vala e madhe” e sulmeve ende përpara

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në një intervistë telefonike për CNN se ushtria amerikane po zhvillon operacione intensive kundër Iranit, duke theksuar se faza më e fortë e sulmeve ende nuk ka nisur.

Në bisedën me gazetarin Jake Tapper, Trump u shpreh se operacionet po ecin sipas planit dhe se SHBA-ja po përdor fuqinë e saj ushtarake në maksimum. “Po i godasim fort. Mendoj se po shkon shumë mirë. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë,” tha ai.

I pyetur për kohëzgjatjen e konfliktit, presidenti amerikan deklaroi se fillimisht kishte parashikuar një luftë katërjavore dhe se aktualisht operacionet janë “pak përpara afatit”. Ai shtoi se nuk dëshiron që konflikti të zgjasë më shumë seç duhet.

Sa i përket situatës së brendshme në Iran, Trump la të kuptohet se SHBA po ndërmerr hapa edhe përtej sulmeve ushtarake, por theksoi se prioriteti aktual është siguria. “Tani për tani duam që të gjithë të qëndrojnë brenda. Nuk është e sigurt jashtë,” u shpreh ai.

Presidenti paralajmëroi gjithashtu për një përshkallëzim të mundshëm të operacioneve. “Ne as nuk kemi filluar t’i godasim fort. Vala e madhe as nuk ka ndodhur. E madhja do të vijë së shpejti,” deklaroi Trump.