Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij nuk e sheh si zgjidhje zhvillimin e një gare për postin e presidentit, pasi sipas tij një proces i tillë do të ishte i destinuar të dështojë për mungesë votash.
Abdixhiku theksoi se sigurimi i 81 votave në Kuvend mbetet sfidë serioze dhe paralajmëroi se, nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) insistojnë në garë, atëherë vendi mund të përfundojë në zgjedhje të reja.
Ai nënvizoi se LDK-ja ka qenë e hapur për gjetjen e një kandidati konsensual, por aktualisht nuk ka një emër të përbashkët mes partive. Sipas tij, kërkesa e mëhershme për 85 vota e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje politike.
I pyetur për qëndrimin ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani, Abdixhiku u shpreh se LDK-ja nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt dhe se nuk ka deklaruar nëse ka apo jo votë për të në këtë fazë.
Deklaratat vijnë në një moment kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet, ndërsa partitë parlamentare përpiqen të shmangin një skenar që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.









