Pas deklaratave për hakmarje të Iranit – Trump i paralajmëron: Mos e bëni! Do t’iu godasim me një forcë që s’është parë kurrë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të mos ndërmarrë asnjë veprim ushtarak kundër SHBA-së dhe Izraelit, pas kërcënimeve për hakmarrje nga Teherani.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Irani sapo deklaroi se do të godasë shumë fort sot, më fort se kurrë më parë. MË MIRË TË MOS E BËJNË KËTË, MEGJITHATË, SEPSE NËSE E BËJNË, NE DO T’I GODASIM ME NJË FORCË QË NUK ËSHTË PARË KURRË MË PARË!”

Reagimi i tij vjen pasi autoritetet iraniane paralajmëruan nisjen e një “operacioni ofensiv më shkatërrues në historinë e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit”, duke synuar bazat amerikane në rajon.

Po ashtu, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike deklaroi se kishte ndërmarrë dhe po përgatiste sulme të tjera hakmarrëse ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme.

Tensionet mes palëve janë rritur ndjeshëm, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.