Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë deklaruar se kanë realizuar operacionin më të madh ajror në historinë e tyre, duke përfshirë rreth 200 aeroplanë luftarakë që goditën objektiva të shumta në territorin iranian.
Sipas ushtrisë izraelite, sulmet u përqendruan në lansues raketash balistike dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Iranin perëndimor dhe qendror. IDF njofton se qindra municione u hodhën pothuajse njëkohësisht mbi rreth 500 objektiva ushtarake, në një operacion të koordinuar me saktësi të lartë.
Në deklaratën zyrtare theksohet se bëhet fjalë për “sulmin më të madh në historinë e Forcave Ajrore Izraelite”, i realizuar pas një planifikimi të detajuar dhe inteligjence të avancuar, duke sinkronizuar qindra mjete ajrore në një kohë shumë të shkurtër.
Sipas IDF, goditja ndaj sistemeve iraniane të mbrojtjes ajrore ka zgjeruar superioritetin ajror të Izraelit mbi hapësirën iraniane dhe ka dëmtuar rëndë kapacitetet ofensive të regjimit.
Një nga objektivat e goditura, sipas ushtrisë, ndodhej në zonën e Tabrizit dhe i shërbente njësive të raketave balistike, të cilat dyshohej se po planifikonin lëshimin e dhjetëra raketave drejt Izraelit.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa rajoni përballet me një përshkallëzim të paprecedentë ushtarak.









