Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi se nuk ka asnjë informacion mbi aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.
Në deklaratën hapëse përpara ligjvënësve, Clinton u shpreh se ishte “e tmerruar” nga krimet e zbuluara, duke theksuar se rasti i Epstein përfaqëson një dështim të rëndë të sistemit. Ajo kritikoi marrëveshjen e vitit 2008, që sipas saj i dha mundësi atij të shmangte pasoja më të rënda dhe të vazhdonte abuzimet për vite me radhë.
Clinton po përballet me pyetje nga anëtarët e United States House Committee on Oversight and Accountability në Chappaqua, New York. Ajo akuzoi kryetarin republikan të komitetit, James Comer, se po e shënjestron për arsye politike.
Në të njëjtën kohë, ish-Zonja e Parë i bëri thirrje Kongresit të marrë në pyetje nën betim presidentin aktual, Donald Trump, duke përmendur lidhjet e tij të mëparshme me Epstein.
“Çfarë po mbahet pezull? Kush po mbrohet? Dhe pse ky mbulim?”, deklaroi ajo, duke shtuar se transparenca është thelbësore për të zbardhur plotësisht çështjen.
Ndërkohë, ish-presidenti Bill Clinton pritet të dëshmojë si pjesë e hetimit të Kongresit mbi çështjen Epstein.









