Kursimet bankare arrijnë rekord historik – rreth 1,5 trilionë lekë vetëm në janar

Stoku total i kursimeve në sistemin bankar në Shqipëri arriti në fund të janarit 2026 në rreth 1,5 trilionë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë historik.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, rritja është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i depozitave në monedhën vendase.

Depozitat në lekë të individëve, bizneseve dhe institucioneve të tjera arritën në 737 miliardë lekë në muajin e parë të vitit, me një rritje mujore prej 26 miliardë lekësh, ose 4% më shumë krahasuar me dhjetorin 2025. Në terma vjetorë, kursimet në lekë janë rritur me 85 miliardë lekë, ose 13,1%.

Ndërkohë, depozitat në valutë shënuan një rënie të lehtë mujore prej rreth 37 milionë eurosh, ose 0,4% më pak krahasuar me muajin paraardhës, duke mbetur në nivelin 8,7 miliardë euro. Megjithatë, në krahasim me një vit më parë, kursimet në euro rezultojnë në rritje me 629 milionë euro, ose 7,7%.

Të dhënat tregojnë një tendencë të qëndrueshme rritjeje të kursimeve, veçanërisht në monedhën vendase, duke reflektuar zgjerimin e depozitave në sistemin bankar.