Një përballje spektakolare, e mbushur me gola, karton të kuq dhe emocione deri në sekondat e fundit, përfundoi me kualifikimin e Galatasaray, që eliminoi Juventus pas 120 minutash lufte të vërtetë në fushë.
“Zonja e Vjetër” e nisi sfidën me vrull dhe kaloi në avantazh në minutën e 37-të, kur Manuel Locatelli u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-0. Por ndeshja mori tjetër rrjedhë në startin e pjesës së dytë.
Në minutën e 48-të, Lloyd Kelly u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit me VAR, duke e lënë Juventusin me 10 lojtarë për më shumë se 70 minuta, përfshirë edhe kohën shtesë.
Reagim i madh bardhezi
Edhe në inferioritet numerik, italianët reaguan fuqishëm. Në minutën e 70-të, Federico Gatti dyfishoi shifrat, ndërsa në të 82-tën Weston McKennie realizoi me kokë për 3-0, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm dhe duke e çuar sfidën në shtesë.
Goditja vendimtare në shtesë
Kur dukej se momentumi ishte me Juventusin, në minutën e 106-të erdhi goli që ndryshoi gjithçka. Baris Alper Yilmaz shërbeu saktë për Victor Osimhen, i cili brenda zonës nuk gaboi për 3-1.
Në vazhdim, ishte vetë Baris Yilmaz që vulosi fatin e ndeshjes me golin për 3-2, duke i dhënë epërsinë përfundimtare Galatasarayt në totalin e dy takimeve.
Në fund, pavarësisht një paraqitjeje heroike me 10 lojtarë dhe një përmbysjeje të përkohshme, Juventusi i jep lamtumirën kompeticionit, ndërsa Galatasaray feston një kualifikim dramatik pas një sfide që do të mbahet mend gjatë.




https://www.sofascore.com/football/player/lloyd-kelly/865167









