INCIDENT I RENDE/ Përplasje me armë mes një motoskafi amerikan dhe rojeve kubaneze – 4 të vrarë dhe 6 të plagosur

Katër persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë mbetën të plagosur pas një incidenti me armë zjarri mes një motoskafi të regjistruar në SHBA dhe rojeve kufitare kubaneze.

Sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Kubës, ngjarja ndodhi pranë ishullit Cayo Falcones, në provincën qendrore Villa Clara, në bregdetin verior të vendit. Autoritetet kubaneze bëjnë me dije se mjeti lundrues, i regjistruar në Florida, ishte futur në ujërat territoriale të Kubës.

Sipas versionit zyrtar, një anije e rojes bregdetare me pesë efektivë iu afrua motoskafit për identifikim, por pasagjerët e këtij të fundit hapën zjarr ndaj forcave kubaneze, duke plagosur komandantin e anijes patrulluese.

Rojet kufitare iu përgjigjën zjarrit, ndërsa si pasojë e shkëmbimit të të shtënave katër persona që ndodheshin në motoskaf mbetën të vrarë. Gjashtë të tjerë u plagosën dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.

Autoritetet kubaneze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga pala amerikane.