PENDESA/ Bill Gates pranon aferat jashtëmartesore – mohon lidhjet me krimet e Jeffrey Epstein

Bill Gates u ka kërkuar falje punonjësve të Fondacionit Gates për marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, duke pranuar se ka bërë gabime serioze që kanë dëmtuar imazhin e organizatës filantropike, por ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetet kriminale të financierit të ndjerë.

Sipas një takimi të brendshëm të regjistruar dhe të cituar nga The Wall Street Journal, bashkëthemeluesi i Microsoft ka pranuar se ka pasur dy lidhje jashtëmartesore me gra ruse, për të cilat Epstein kishte dijeni, por ka theksuar se ato nuk kishin asnjë lidhje me viktimat e tij.

“Nuk bëra asgjë të paligjshme. Nuk pashë asgjë të paligjshme”, mësohet të ketë deklaruar Gates gjatë takimit.

Ai ka sqaruar gjithashtu se fotografitë e publikuara së fundmi në dosje, ku shfaqen gra me fytyra të errësuara, janë realizuar me kërkesë të Epstein pas takimeve që ai kishte organizuar me asistente femra.

“Të jem i qartë, unë nuk kam kaluar kurrë kohë me viktimat, me gratë përreth tij. Ishte një gabim i madh të kaloja kohë me Epstein dhe të sillja drejtues të Fondacionit Gates në takime me një abuzues seksual të dënuar. U kërkoj falje njerëzve që u përfshinë për gabimin që bëra”, është shprehur miliarderi.

Gates ka deklaruar se kontaktet me Epstein nisën në vitin 2011, disa vite pasi ky i fundit ishte shpallur fajtor në vitin 2008 për shfrytëzimin e një të miture për prostitucion. Ai ka pranuar se ishte në dijeni të dënimit me 18 muaj burg që kufizonte lëvizjet e Epstein, por nuk kishte hetuar më tej mbi të kaluarën e tij.

Më tej, Gates ka shtuar se vazhdoi ta takonte Epstein edhe pasi ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, kishte ngritur shqetësime në vitin 2013 lidhur me këto kontakte.