Rusia ka akuzuar Francën dhe Britaninë e Madhe se po punojnë për t’i furnizuar Ukrainës një armë bërthamore ose të ashtuquajturën “bombë të ndyrë”, në një deklaratë të fortë të publikuar nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR).
Sipas SVR-së, “elitat britanike dhe franceze nuk janë të gatshme të pranojnë humbjen” dhe besojnë se Kievi mund të negociojë kushte më të favorshme për ndërprerjen e luftimeve nëse zotëron një armë të tillë.
Në deklaratë thuhet se Londra dhe Parisi po punojnë “në mënyrë aktive” për furnizimin e Ukrainës me këtë lloj arme, përfshirë transferimin e fshehtë të komponentëve, pajisjeve dhe teknologjive të prodhuara në Evropë, si edhe mjeteve të dorëzimit.
SVR pretendon se një veprim i tillë do të përbënte shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, dhe do të rrezikonte sistemin global të mospërhapjes.
Sipas inteligjencës ruse, përpjekjet e vendeve perëndimore synojnë që posedimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Ukraina të paraqitet si rezultat i veprimeve të vetë Kievit.
Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Parisi apo Londra lidhur me këto akuza, të cilat vijnë në një klimë të tensionuar mes Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.









