Tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një sulmi ajror të ndërmarrë nga ushtria pakistaneze në orët e para të mëngjesit të së dielës në territorin afgan.
Sipas autoriteteve në Islamabad, gjatë operacionit janë vrarë të paktën 70 militantë, ndërsa media shtetërore pakistaneze raportoi për deri në 80 viktima. Zëvendësministri i Brendshëm i Pakistanit, Talal Chaudhry, deklaroi se objektivi i sulmeve ishin militantë pakistanezë të përfshirë në sulmet e fundit brenda territorit të vendit.
Ushtria pakistaneze pretendon se ka goditur shtatë kampe të lidhura me talebanët pakistanezë, si dhe një grup të lidhur me organizatën Islamic State.
Përplasjet e fundit rrezikojnë të çojnë dy vendet drejt një përshkallëzimi të ri ushtarak, vetëm pak muaj pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Qatar u arrit në tetor, pas përleshjeve të përgjakshme kufitare që lanë dhjetëra të vrarë nga të dyja palët.
Dhuna e atëhershme kishte shpërthyer pas sulmeve në Kabul, për të cilat zyrtarët afganë fajësuan Pakistanin. Në përgjigje, Islamabadi kishte kryer sulme të thella në territorin afgan, duke argumentuar se po godiste baza militante.
Situata aktuale shihet si një nga momentet më të rrezikshme në marrëdhëniet mes dy vendeve vitet e fundit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet përgjatë kufirit të tensionuar.









