Pas dy muajsh pezullim, Këshilli i Imunitetit pritet të vendosë nesër mbi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar të saj, një hap që do t’i hapte rrugë masave të sigurisë, përfshirë arrest me burg, arrest shtëpie apo kontroll banese.
Edhe pse kryeministri Edi Rama deklaroi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës së SPAK, me argumentin se Balluku është tashmë e pezulluar dhe mund të hetohet, mazhoranca socialiste duket se ka ndryshuar qëndrim.
Vendimi për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit erdhi disa ditë pasi Komisioni Europian, në një përgjigje ekskluzive për Report Tv, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesa kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Nëse Kuvendi vendos heqjen e imunitetit, SPAK do të ketë dritën jeshile për të vepruar me masë sigurie ndaj zëvendëskryeministres, duke e kthyer çështjen në një nga zhvillimet më të forta politike dhe ligjore të momentit.









