Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj të ri që i jep autoriteteve të sigurisë kompetenca të zgjeruara për të ndërprerë internetin brenda vendit.
Sipas masave të reja, ofruesit e shërbimeve të internetit do të detyrohen të bllokojnë aksesin online kur të urdhërohen nga autoritetet dhe do të përjashtohen nga përgjegjësia ligjore për pasoja të tilla. Ligji i jep mundësi presidentit të vendosë personalisht se kur komunikimet online duhet të çaktivizohen, në të gjithë territorin ose në rajone të caktuara, pa qenë i detyruar të japë shpjegime publike.
Mediat britanike raportojnë se ligji do të zbatohet si në territorin e Federatës Ruse, ashtu edhe në zonat e pushtuara të Ukrainës. Projektligji u prezantua në fund të vitit të kaluar me argumentin se do të forconte sigurinë kombëtare dhe do të mbronte qytetarët nga kërcënimet e jashtme, ndërsa njëkohësisht do të mbronte kompanitë e telekomunikacionit nga ndjekjet ligjore.
Zëvendësministri rus i zhvillimit dixhital, Ivan Lebedev, ka deklaruar se formulimi i ligjit është lënë qëllimisht i paqartë për sa i përket shërbimeve që mund të ndërpriten, me synimin për të mos zbuluar detaje për kundërshtarët e Rusisë.
Ndërprerjet e internetit celular janë bërë të shpeshta në disa rajone të vendit dhe në territoret e pushtuara të Ukrainës. Autoritetet ruse i kanë justifikuar këto masa si të nevojshme për të parandaluar sulmet me dronë, të cilët mund të përdorin sinjalet e të dhënave për navigim.









