Qytetari Tetem Toraj ka kallëzuar penalisht deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Flamur Noka, duke pretenduar se është dhunuar gjatë protestës së opozitës të zhvilluar një ditë më parë.
Sipas Torajt, ai është akuzuar nga Noka si “polic i infiltruar” dhe më pas është larguar me forcë nga zona e tubimit. Ai mohon të ketë pasur ndonjë lidhje me strukturat e policisë dhe e cilëson ndërhyrjen ndaj tij si të pajustifikuar.
Në pamjet e publikuara në rrjete sociale shfaqet momenti kur Flamur Noka dhe deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, shtyjnë me forcë dy të rinj, për të cilët pretendohet se janë persona të infiltruar.

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Flamur Noka lidhur me kallëzimin. Çështja pritet të shqyrtohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.









