Berisha bëri thirrje për sulme ndaj selive të PS – Rama i nxjerr Ballën të paralajmërojë demokratët: Mos ndiqni urdhrat e një “plaku matuf”

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili paralajmëroi sulme ndaj selive të Partisë Socialiste në rrethe.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Balla citoi deklaratën e Berishës, ku ky i fundit u ka kërkuar degëve të Partisë Demokratike të bëjnë “rikonicionin e plotë” të selive të PS-së dhe ka paralajmëruar se sulmet ndaj selisë së PD-së do të pasohen me “sulme asgjësuese” ndaj selive socialiste në të gjithë vendin.

Balla theksoi se thirrjet publike për kryerjen e veprave penale, nxitja e dhunës, e urrejtjes dhe e përçarjes, si dhe aktet që mund të përbëjnë tentativa për vrasje ndaj punonjësve të policisë, janë çështje që duhet të vlerësohen nga organet kompetente.

Në mesazhin e tij, ai iu drejtua edhe mbështetësve të Partisë Demokratike, duke u bërë thirrje që të mos përfshihen në veprime të paligjshme. “Mos e merrni veten në qafë nga urdhrat e një plaku matuf”, u shpreh Balla, duke akuzuar Berishën për nxitje të përçarjes gjatë karrierës së tij politike.

Deklaratat e ndërsjella vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të fundit të opozitës dhe përplasjeve me policinë.