Dy ngjarje të rënda janë regjistruar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, në zona pranë njëra-tjetrës, duke alarmuar autoritetet dhe qytetarët. Një 31-vjeçar ka humbur jetën pas goditjes me mjet prerës, ndërsa një 34-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 15:40, në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, gjatë një konflikti është goditur me mjet prerës shtetasi me iniciale E. P., rreth 31 vjeç. Ai është transportuar menjëherë drejt spitalit, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Vetëm 10 minuta më vonë, rreth orës 15:50, një tjetër konflikt është regjistruar në Rrugën e Kavajës, në zonën e njohur si “Delijorgji”, ku është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia njofton se autorët e dyshuar të të dyja ngjarjeve janë identifikuar, por identitetet e tyre nuk bëhen publike për shkak të hetimeve në vijim. Uniformat blu po vijojnë punën për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtyre dy episodeve të rënda në kryeqytet.









